Përshëndetje, unë quhem Beni.
Mbase më mban mend nga vjet si ai djali që e festoi Vitin e Ri me një BAM BAM! – dhe si ai djali që i dha vëllait të vogël fishekzjarrë dhe që shtiu me armë në një festë.
Mendova që kjo do të ishte argëtuese si për mua dhe për miqtë e mi. Por jo. Ajo gjë veç sa më futi në telashe dhe lëndoi ata që dua. Asnjë nuk ishte i lumtur.
Prandaj, vendosa të kthej rrugë. Këtë Vit të Ri do të sjell muzikë dhe gëzim me një trumpetë në dorë.
#BëhuYlliiFestës si unë
FESTO ME ZEMËR, JO ME ARMË!
Nëse nuk e di se ç’duhet të bësh, shiko sa më poshtë:
Pavarësisht se të shtënat gjatë festimeve janë të jashtëligjshme në të gjithë Ballkanin dhe përdorimi i lëndëve piroteknike është i ndaluar ose i kufizuar në një sërë vëndesh, përdorimi i armëve të zjarrit dhe i lëndëve piroteknike në raste festash është dukuri e zakontë në rajon.
Njëkohësisht, ne nuk mund të mohojmë faktin që si armët e zjarrit dhe si lëndët piroteknike janë shumë të rrezikshme. Këtë e dimë pasi çdo vit ne jemi dëshmitarë të një sërë humbje jetësh, plagosjesh, dëmtime prone dhe arrestimesh që lidhen me të shtënat gjatë festimeve.
Andaj, nëse po bëhesh gati për festimet e këtij viti me një sjellje prej moskokëçarësi duke menduar se, “varja, s’ka për të ndodhur gjë” - mendo për ato që u KANË NDODHUR dikujt që ka pasur të njëjtat mendime si ty.
HUMBJET E JETËS
- Një grua 67-vjeçare u vra kur një copëz pajisje shpërthyese e improvizuar e goditi në kokë gjatë një kremtimi në Arilje, Serbi. Pajisja u aktivizua nga një burrë në një festë, i cili më pas u arrestua.
- Dy burra morën pjesë në festimet për lindjen e një fëmije në Zmajevo, Serbi. Ka të ngjarë që njëri prej tyre të ketë shtënë në ajër dhe të ketë goditur kabllon e tensionit të lartë, i cili më pas ra në tokë dhe i la të dy burrat të vdekur.
PLAGOSJET
- Gjatë festës së Vitit të Ri vitin e kaluar në Besianë/Podujevë, Kosovë*, një burrë u godit nga një plumb ndërsa qëndronte në ballkonin e tij. E njëjta gjë i ndodhi një gruaje në Vitin/Viti përpara një viti. Të dy morën trajtim mjekësor për lëndimet që pësuan.
- Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, një grua 36-vjeçare u godit nga një plumb qorr më 31 dhjetor ndërsa qëndronte në shtëpi.
- Në Foča të Bosnjë-Hercegovinës, një burrë 65 vjeçar u godit nga një plumb qorr më 6 janar, ndërkohë që po bënte raki në oborrin e tij.
- Në Zvornik të Bosnjë-Hercegovinës, një burrë 78 vjeçar qëlloi aksidentalisht me armë dhe plagosi një djalë 22 vjeçar gjatë kremtimit të festave.
- Një i mitur u godit dhe u plagos pasi një burrë 32-vjeçar shtiu me armë zjarri në një festë familjare në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.
- Në Nikšić të Malit të Zi, një burrë 56 vjeçar u arrestua pasi u vërtetua se ai kishte qëlluar aksidentalisht me armë dhe plagosur një grua gjatë një rasti festimesh.
- Në Guncati të Serbisë, teksa po sillte brenda në shtëpi një pemë lisi “badnjak” mëngjesin e Krishtlindjeve Ortodokse, një burrë qëlloi me armë për të festuar. Plumbi i tij bëri rikoshet duke qëlluar dhe plagosur dy njerëz.
Nëse mendon se shpërthimi i fishekzjarrëve dhe i lëndëve piroteknike është një lojë e padëmshme fëmijësh, mendohu edhe njëherë. Çdo vit të rriturit dhe fëmijët bien viktima të një sjelljeje të tillë moskokëçarëse afër sezonit të festave. Ja disa nga incidentet që ndodhën gjatë vitit 2021.
- Në vitin 2021 në Kanjiza të Serbisë një burrë humbi syrin ndërkohë që ndizte një fishekzjarr në vigjilje të Vitit të Ri. Po në të njëjtin vit, në Svilajnac, një vajzë 14-vjeçare pësoi një lëndim të rëndë trupor kur i shpërtheu një fishekzjarr në dorë.
- Në fillim të vitit 2021, në Pučile të Bosnjë-Hercegovinës, dy djem u plagosën pas lojës me fishekzjarrë; njëri prej tyre u shtrua në spital me lëndime të rënda të dorës.
Lëndët piroteknike (fishekzjarret) janë një lloj pajisje shpërthyese dhe duhet të trajtohen me kujdesin maksimal. Fatkeqësisht, edhe në vendet ku ato janë të ligjshme, këto lëndë piroteknike shpesh blihen në rrugë nga burime të parregulluara, pra shitës ambulatorë. Kjo do të thotë se cilësia e këtyre mjeteve plasëse dhe mënyrat se si ato ruhen dhe mbahen janë gjithashtu të parregulluara. Kjo rrit rrezikun e keqfunksionimit të tyre ose të një ndezjeje të vonuar çka i bën akoma më të rrezikshme për t’u përdorur. A do vërtet që të vësh në rrezik sigurinë tënde, apo edhe më keq, atë të dikujt që do, duke i përdorur këto mjete?
“KUR FATI ËSHTË ME TY”
Plagosjet dhe humbjet e jetëve me siguri që do të raportohen. Por, IMAGJINO se sa plumba “festash” nuk të kapin falë dhe vetëm falë fatit. Këto janë plumba për të cilët rrallë dëgjojmë, por janë po aq të vërtetë.
- Në vigjilje të Vitit të Ri të kaluar në Cazin të Bosnjë-Hercegovinës, një plumb qorr përshkoi tej për tej dritaren e një dhome ndenjeje të shtëpisë së një familjeje. Fatmirësisht askush nuk u lëndua. Familja bëri thirrje që të mos ketë më të shtëna gjatë festimeve.
- Më 9 janar 2020 në Prnjavor të Bosnjë-Hercegovinës, makina e një burri u godit nga një plumb qorr që dyshohej se vinte nga të shtënat gjatë festimeve. Plumbi shpoi xhamin e makinës duke goditur sediljen e pasme të makinës ku tre fëmijët e tij kishin qenë ulur vetëm pak minuta më parë.
DËMTIMI I PRONËS
“Rrebeshi” i plumbave përreth nesh gjatë periudhës së festave mund të shihet edhe në raportimet e dëmtimit të pronës. Në Kosovë, vend në të cilin gjurmimi i këtyre ngjarjeve nxitet nga institucionet e zbatimit të ligjit, vetëm më 1 janar 2021 të paktën tetë (8) persona raportuan se automjetet ose shtëpitë e tyre ishin goditur ose dëmtuar nga të shtënat gjatë festimeve. Gjashtë (6) incidente të tilla u regjistruan në fillim të vitit 2022.
ARRESTIMET
Nëse mendon se festimet me armë zjarri pranohen gjerësisht dhe se ata që janë të përfshirë shpëtojnë pa “u lagur”, ki parasysh sa vijon. Në të gjithë rajonin njerëzit arrestohen për shkak se shtinë me armë në raste festash, edhe në ato raste kur nuk ka lëndime apo dëmtime të pronës. Në fakt, gjatë vitit të fundit, rreth 150 njerëz u burgosën për këtë vepër të keqpërdorimit të armëve të zjarrit. Ku mbetet festa pastaj?
Platforma e SEESAC për Monitorimin e Dhunës me Armë vërtetoi me fakte se ka shumë arrestime të tilla në çdo juridiksion. Këtu jepen vetëm disa shembuj nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.
Së fundmi, autorët i kanë postuar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme në mediat sociale, dhe si rezultat janë identifikuar, gjurmuar dhe ndaluar nga autoritetet ligjzbatuese duke përdorur pikërisht këto platforma.
- Një 21-vjeçar u arrestua pasi policia mori një video ku shfaqej ai tek shtinte me armë zjarri gjatë një feste familjare në Vushtrri / Vučitrn, Kosovë.
- Në Bogovinje të Maqedonisë së Veriut, një burrë 39 vjeçar u arrestua pasi postoi një video në media sociale ku shfaqej tek i mësonte një djali të vogël se si të gjuante me pistoletë.
Si përfundim, përpara se t’i vësh “zjarrin” atmosferës festive duke shtënë disa plumba në ajër, duke marrë me vete një armë në shtëpinë ose ambientin e dikujt tjetër, ose duke shpërthyer disa lëndë piroteknike, mendo se si do të ndiheshin njerëzit përreth teje. Në fund të fundit, arrestimet ndodhin sepse njerëzit ndihen të pasigurt dhe i denoncojnë këto përdorime të armëve në festa tek autoritetet. Në një studim të fundit, me mijëra njerëz në të gjithë rajonin ndanë qëndrimet e tyre mbi sigurinë, duke përfshirë armët e zjarrit. Ja se çfarë kanë thënë ata:
- Në Ballkanin Perëndimor 79% e të intervistuarve u shprehën se nuk do të zotëronin një armë dhe 54% u shprehën se ndihen të kërcënuar apo shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjet e tyre, duke përfshirë të shtënat gjatë festimeve.**
SEESAC i mbledh informacionet mbi incidentet nga të shtënat gjatë festimeve në Platformën e tij për Monitorimin e Dhunës me Armë, e cila tregon për tendenca të panumërta. Në vitin 2021 këto tendenca përfshinin:
- Në 94% të të shtënave të regjistruara gjatë festimeve, autorët janë raportuar si të kapur.
- Në 96% të të shtënave të regjistruara gjatë festimeve dhe kur dihej statusi i armës, arma e përdorur ishte e jashtëligjshme.
- Në shumicën e rasteve, autorët janë burra të moshës 19-35 vjeç, pasuar nga ata të moshës 36-60 vjeç, ndërsa thuajse 33% e viktimave të të shtënave gjatë festimeve ishin gra.
- Të shtënat gjatë festimeve raportohen më shpesh në zonat urbane me popullsi të dendur, duke i bërë ato akoma edhe më të rrezikshme.
Më shumë informacion mbi të shtënat gjatë festimeve mund të gjesh edhe nga Monitorimi i Dhunës me Armë “In Focus” të SEESAC që analizon të shtënat në festa në Evropën Juglindore për vitin 2021.
Kjo fushatë zbatohet në kuadër të projektit të financuar nga BE “Mbështetje për përmirësimin e luftës kundër zotërimit të jashtëligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor”, përmes Komisionit Evropian.
*Referencat për Kosovën kuptohen në kontekstin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244 (1999).