Ndërkohë që periudha e festave po afron, kur të dalësh të festosh me më të dashurit e tu, miqtë dhe familjarët, të lutemi të:
FESTOSH ME ZEMËR, JO ME ARMË!
Mendo për një moment nëse do të jesh AI djali që prish festën?
Të lutem, #MosveprosiBeni
Pavarësisht se të shtënat gjatë festimeve janë të jashtëligjshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe përdorimi i lëndëve piroteknike është i ndaluar ose i kufizuar në një sërë juridiksionesh, përdorimi i armëve të zjarrit dhe i lëndëve piroteknike në raste festash është dukuri e zakontë në rajon.
Njëkohësisht, ne nuk mund të mohojmë faktin që si armët e zjarrit dhe si lëndët piroteknike janë shumë të rrezikshme. Këtë e dimë pasi çdo vit ne jemi dëshmitarë të një sërë humbje jetësh, plagosjesh, dëmtime prone dhe arrestimesh që lidhen me të shtënat gjatë festimeve.
Andaj, nëse po bëhesh gati për festimet e këtij viti me një sjellje prej moskokëçarësi duke menduar se, “varja, s’ka për të ndodhur gjë” - mendo për ato që u KANË NDODHUR dikujt që ka pasur të njëjtat mendime si ty.
HUMBJET E JETËS
- Një grua u qëllua aksidentalisht në kokë dhe u vra brenda shtëpisë së saj gjatë festimeve pranë Jagodinës në Serbi.
- Dy burra morën pjesë në festimet për lindjen e një fëmije në Zmajevo, Serbi. Ka të ngjarë që njëri prej tyre të ketë shtënë në ajër dhe të ketë goditur kabllon e tensionit të lartë, i cili më pas ra në tokë dhe i la të dy burrat të vdekur.
PLAGOSJET
- Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, një grua 36 vjeçare u godit nga një plumb qorr më 31 dhjetor ndërsa ishte në shtëpi, ndërsa në Kosovë* në datën 1 janar një grua u godit nga një plumb qorr ndërsa qëndronte në ballkonin e saj gjatë festimeve për Vitin e Ri.
- Në Foča të Bosnjë-Hercegovinës, një burrë 65 vjeçar u godit nga një plumb qorr më 6 janar, ndërkohë që po bënte raki në oborrin e tij.
- Në Zvornik të Bosnjë-Hercegovinës, një burrë 78 vjeçar qëlloi aksidentalisht me armë dhe plagosi një djalë 22 vjeçar gjatë kremtimit të festave.
- Në Nikšić të Malit të Zi, një burrë 56 vjeçar u arrestua pasi u vërtetua se ai kishte qëlluar aksidentalisht me armë dhe plagosur një grua gjatë një rasti festimesh.
- Në Guncati të Serbisë, teksa po sillte brenda në shtëpi një pemë lisi “badnjak” mëngjesin e Krishtlindjeve Ortodokse, një burrë qëlloi me armë për të festuar. Plumbi i tij bëri rikoshet duke qëlluar dhe plagosur dy njerëz.
Nëse mendon se shpërthimi i fishekzjarrëve dhe i lëndëve piroteknike është një lojë e padëmshme fëmijësh, mendohu edhe njëherë.
- Në fillim të vitit 2021, në Pučile të Bosnjë-Hercegovinës, dy djem u plagosën pas lojës me fishekzjarrë; njëri prej tyre u shtrua në spital me lëndime të rënda të dorës.
- Jeta e një vajze 10 vjeçare u rrezikua kur një i ftuar në një festë familjare në Čačak të Serbisë shpërtheu një pajisje plasëse. Vajza u transportua në spital me lëndime serioze për jetën në pjesën e gjoksit.
Lëndët piroteknike janë një lloj lënde plasëse dhe, kësisoj, duhet të trajtohen me kujdesin maksimal. Fatkeqësisht, edhe në vendet ku ato janë të ligjshme, këto lëndë piroteknike shpesh blihen në rrugë nga burime të parregulluara, pra shitës ambulatorë. Kjo do të thotë se cilësia e këtyre mjeteve plasëse dhe mënyrat se si ato ruhen dhe mbahen janë gjithashtu të parregulluara. A do vërtet që të vësh në rrezik sigurinë tënde, apo edhe më keq, atë të dikujt që do, duke i përdorur këto mjete?
“KUR FATI ËSHTË ME TY”
Plagosjet dhe humbjet e jetëve me siguri që do të raportohen. Por, IMAGJINO se sa plumba “festash” nuk të kapin falë dhe vetëm falë fatit. Këto janë plumba për të cilët rrallë dëgjojmë, por janë po aq të vërtetë.
- Më 9 janar në Prnjavor të Bosnjë-Hercegovinës, makina e një burri u godit nga një plumb qorr që dyshohej se vinte nga të shtënat në festa. Plumbi shpoi xhamat e makinës duke goditur sediljen e pasme të makinës ku tre fëmijët e tij kishin qenë ulur vetëm pak minuta më parë.
DËMTIMI I PRONËS
“Rrebeshi” i plumbave përreth nesh gjatë periudhës së festave mund të shihet edhe në raportimet e dëmtimit të pronës. Në Kosovë, vend në të cilin gjurmimi i këtyre ngjarjeve nxitet nga institucionet e zbatimit të ligjit, vetëm më 1 janar 2021 të paktën 8 persona raportuan se automjetet ose shtëpitë e tyre ishin goditur ose dëmtuar nga
të shtënat në festa.
ARRESTIMET
Nëse mendon se festimet me armë zjarri pranohen gjerësisht dhe se ata që janë të përfshirë shpëtojnë pa “u lagur”, ki parasysh sa vijon. Në të gjithë rajonin njerëzit arrestohen për shkak se gjuajnë me armë në raste festash, edhe në ato raste kur nuk ka lëndime apo dëmtime të pronës. Platforma e SEESAC për Monitorimin e Dhunës me Armë vërteton me fakte se ka shumë arrestime të tilla në çdo juridiksion. Këtu jepen vetëm disa raste nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova. Ku mbetet festa pastaj?
Së fundmi, autorët i kanë postuar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme në mediat sociale, dhe si rezultat janë identifikuar, gjurmuar dhe ndaluar nga autoritetet ligjzbatuese duke përdorur pikërisht këto platforma.
- Në Bogovinje të Maqedonisë së Veriut, një burrë 39 vjeçar u arrestua pasi postoi një video në media sociale ku shfaqej tek i mësonte një djali të vogël se si të gjuante me pistoletë.
-
Tre burra u arrestuan në Malishevë të Kosovës pasi kishin shtënë me armë gjatë një feste familjare dhe e kishin postuar këtë në median sociale.
Si përfundim, përpara se t’i vësh “zjarrin” atmosferës festive duke shtënë disa plumba në ajër, duke marrë me vete një armë në shtëpinë ose ambientin e dikujt tjetër, ose duke shpërthyer disa lëndë piroteknike, mendo se si do të ndiheshin njerëzit përreth teje. Në fund të fundit, arrestimet ndodhin sepse njerëzit ndihen të pasigurt dhe i denoncojnë këto përdorime të armëve në festa tek autoritetet. Në një studim të fundit, me mijëra njerëz në të gjithë rajonin ndanë qëndrimet e tyre mbi
sigurinë, duke përfshirë armët e zjarrit. Ja se çfarë kanë thënë ata:
- Në Shqipëri – 95% e të intervistuarve nuk mendojnë të zotërojnë një armë dhe 55% shprehen se ndihen të kërcënuar/shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.
- Në Bosnjë-Hercegovinë – 92% e të intervistuarve nuk mendojnë të zotërojnë një armë dhe 50% shprehen se ndihen të kërcënuar/shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.
- Në Mal të Zi – 90% e të intervistuarve nuk do të zotëronin një armë dhe 22% shprehen se ndihen të kërcënuar/shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.
- Në Maqedoninë e Veriut – 82% e të intervistuarve nuk do të zotëronin një armë dhe 55% shprehen se ndihen të kërcënuar/shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.
- Në Serbi – 91% e të intervistuarve nuk do të zotëronin një armë dhe 39% shprehen se ndihen të kërcënuar/shumë të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.
- Në Kosovë – 93% e të intervistuarve nuk do të zotëronin një armë dhe 55% shprehen se ndihen të kërcënuar nga zotërimi i jashtëligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve në lagjen e tyre, duke përfshirë të shtënat në festa.[1]
SEESAC i mbledh informacionet mbi incidentet nga të shtënat në festa në Platformën për Monitorimin e Dhunës me Armë, e cila tregon për tendenca të ndryshme, duke përfshirë sa më poshtë:
- Të shtënat në festa raportohen më shpesh në zonat urbane dhe këto incidente zakonisht ndodhin në rrugë ose në shtëpi.
- Arma që përdoret më shpesh është një armë dore dhe zakonisht ajo është në zotërim të jashtëligjshëm. Përjashtim bëjnë Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, ku pistoletat me gaz dhe armët automatike ndeshen më shpesh.
- Në shumicën e rasteve, autorët janë djem të moshës 19-35 vjeç, pasuar nga burra të moshës 36-60 vjeç, ndërsa thuajse 26% e viktimave të të shtënave në festa janë gra.
Më shumë informacion mbi të shtënat në festa mund të gjesh edhe nga Monitorimi i Dhunës me Armë “In Focus” të SEESAC që përqendrohet në të shtënat në festa në Evropën Juglindore.
Kjo fushatë zbatohet në kuadër të projektit të financuar përmes Vendimit të Këshillit të BE-së 2018/1788 në mbështetje të SEESAC për zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për luftën kundër trafikimit të jashtëligjshëm të armëve në Ballkanin Perëndimor.
* Referencat për Kosovën kuptohen në kontekstin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244 (1999).
[1] Shih: Sondazhi i opinionit publik mbi sigurinë (#SecuriMeter) 2021: “Sjelljet kundrejt sigurisë: Perceptimet mbi sigurinë dhe kërcënimet në Ballkanin Perëndimor”.
Shih KPI 14 te “Raporti i Treguesve Kyçë të Performancës”, për periudhën 1 korrik - 31 dhjetor 2020, (SEESAC).